Secondary Adv

Fushë e re futbolli me standardet e UEFA, Bashkia Durrës hap tender me vlerë 666 mijë euro

Bashkia e Durrësit ka hapur procedurën e prokurimit për ndërtimin e një fushe të re futbolli në Katund të Ri, me vlerë 66.6 milionë lekë (rreth 666 mijë euro).

Projekt për rikualifikimin e plotë të hapësirës sportive

Sipas relacionit të projektit, qëllimi i investimit është rehabilitimi dhe zhvillimi i infrastrukturës sportive ekzistuese, për ta sjellë atë në standardet ndërkombëtare të kërkuara për ndeshjet kombëtare dhe ndërkombëtare. Fusha do të ketë përmasa 105 x 68 metra, sipërfaqe 100% me bar natyral dhe do të përfshijë ambiente ndihmëse si dhoma ndërrimi, nyje sanitare dhe amfiteatër për spektatorët.

 

Projekti parashikon gjithashtu sistemimin e rrjetit të kullimit, shtrimin me materiale të përshtatshme dhe ndërtimin e zonave të reja për hyrje, stërvitje dhe vizitorë. Rrethimi i fushës do të sigurojë administrim dhe mbrojtje më të mirë të impiantit sportiv.

 

Fushë me standardet e FSHF dhe UEFA

Fusha do të ndërtohet sipas rregullores së FSHF-së dhe kërkesave të UEFA-s për stadiumet e Kategorisë 2, me vijëzim vetëm të bardhë në përputhje me Ligjet e Lojës të IFAB. Në vijën anësore do të vendoset një zonë stërvitjeje për ngrohjen e lojtarëve rezervë, ndërsa përmasat dhe cilësia e barit do të jenë të njëjta me ato të fushës kryesore.

 

Bashkia Durrës thekson se pas përfundimit të projektit, komuniteti do të përfitojë një hapësirë moderne, funksionale dhe të sigurt për aktivitete sportive dhe sociale, duke nxitur zhvillimin e jetës komunitare dhe promovimin e sportit në zonë.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat